Kreu | Lajme | Gazeta Express | Nuk është keq

Nuk është keq

Pjesa e parë e kampionatit në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, për disa trajnerë kosovarë, ka qenë mjaft cilësore duke u arritur rezultate të paparashikuara. Sipas tyre, sezoni vjeshtor, i cili përfundoi të enjten, ka pasur rrjedhje të mirë, përkundër dy ekseseve të shënuara në ndeshjet Kosova e Vushtrrisë – Trepça (në xhiron e 6) dhe në atë të kthimit Trepça – Kosova (V) (në xhiron e 17). “Në përjashtim të atyre dy ekseseve, rrjedhja e kampionatit ishte shumë e mirë. Garat kanë qenë shumë cilësore dhe kampionati ka qenë shumë i paparashikueshëm. Kanë ndodhur shumë rezultate të papritura. Skuadrat kanë fituar si mysafire nëpër disa terrene që nuk është pritur se do të fitojnë. Diferenca në pikë e një skuadre ndaj tjetrës vazhdimisht ka qenë e vogël”, deklaroi për Express ish trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu. Ai tha se është pritur se Trepça do ta përmbyllë në vendin e parë këtë gjysmë-sezon. Sipas Sejdiut, për të keq ka befasuar Prishtina, sepse nuk ka qenë e parashikuar që kjo skuadër këtë gjysmë-sezon ta përmbyllë në këtë pozitë ku gjendet sot. Sipas tij, nuk është pritur që edhe Vëllaznimi e Kosova (V) këtë gjysmë-sezon ta përmbyllin në dy pozitat e fundit të tabelës, derisa thotë se Lira ka mundur të jetë edhe më lartë në tabelë. “Flamurtari ka qenë befasi e këndshme. Kjo skuadër nuk është aq kualitative sa për t’u ngjitur në krye të tabelës. Edhe Ferizaj ka befasuar për mirë. Në fakt Ferizaj e ka merituar këtë pozitë, sepse ka ekip cilësor. Arsim Abazi ka bërë punë të shkëlqyeshme në ekip. Ndërsa KEK-u ka qenë ekipi më i paparashikuar, sepse ka humbur pikë në shtëpi dhe ka fituar pikë si mysafir”, theksoi ai. Kurse ish trajneri i skuadrës së Gjilanit, Agron Selmanaj thotë se rritja e shikueshmërisë bën të nënkuptohet se garat në këtë stinor ishin mjaft cilësore. “Ka pasur elemente të mira në këtë stinor. Skuadrat mysafire kanë mundur të shënojnë fitore, gjë që më parë ishte vështirë të arrihej. Klubet po ashtu kanë qenë më të organizuara. Shikueshmëria ka qenë më e madhe. Madje tifozët shpesh herë kanë udhëtuar si mysafirë për ta shikuar skuadrën e tyre”, u shpreh Selmanaj. Sipas tij, Flamurtari e Ferizaj kanë befasuar për mirë, ndërsa Vëllaznimi, Liria e Gjilani kanë dështuar. Në anën tjetër, ish trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku nuk mendon se dy kolegët e tij. Ai mendon se ky stinor nuk ishte më i mirë sesa ata të mëparshmit. “As një për qind nuk mendoj se ishte më cilësor. Për të pasur kampionat më cilësor, organizimi i klubeve duhet të jetë më i mirë dhe më serioz”, tha Lushtaku. Madje, sipas Lushtakut, gjyqtarët në shumicën e rasteve po e prishin imazhin e futbollit. “Gjyqtarët po i favorizojnë shumë ekipet vendase, derisa po i dëmtojnë ekipet mysafire. Në këtë mënyrë gjyqtarët po e prishin imazhin e futbollit. Ata duhet të trajnohen më mirë. Kur trajnerët po protestojnë ndaj vendimeve të tyre, gjyqtarët nuk po mërziten dhe nuk po u japin shpjegime trajnerëve sepse po e kanë një siguri policore mbrapa”, tha ai. Lushtaku tha se Prishtina ka befasuar për keq këtë stinor, derisa Ferizajn e Flamurtarin i vlerësoi si skuadra befasuese për të mirë. FFK e kënaqur me stinorin vjeshtor Të enjten Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur një mbledhje, në të cilën ka analizuar rrjedhën e deritashme të garave. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka vlerësuar se garat kanë pasur rrjedhë normale. “Garat kanë pasur rrjedhë normale dhe sistemi i ri i garave ka dhënë fryte të mira në rritjen e cilësisë dhe shtimin e shikueshmërisë si dhe korrektësisë në fushë, që është përshkuar me sjelljen korrekte të futbollistëve”, thuhet në një njoftim të FFK-së. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka dënuar incidentin e ndodhur të mërkurën në ndeshjen mes Trepçës dhe Kosovës (V). “Komiteti Ekzekutiv ka gjykuar ashpër sjelljen e skuadrës mysafire dhe të adhuruesve të saj. Sjella e individëve të caktuar në këtë ndeshje dhe shpalosja e një pankarte me mbishkrim që nuk përkon me realitetin dhe i paargumentuar, flet qartë se disa individëve u pengon rrjedha normale e garave dhe hyrja e futbollit të Kosovës në agjendën e FIFA-s”, thuhet në këtë njoftim.
  • email Email miqve
  • print Versioni print
  • Plain text Vetem tekst
MDB2 Error: insufficient permissions