Kreu | Lajme | Gazeta Express | Një tjetër Kadare

Një tjetër Kadare

Për Ismail Kadarenë janë shkruar shumë libra të çfarëdo lloji. Libri i Mimoza Cika-Kelmendit mëton të jetë pak më ndryshe prej të tjerëve, jo vetëm pse e ka titullin e tillë, “Kadare ndryshe”, por pse është i shkruar pak më ndryshe. Ajo nuk ka bërë ndonjë studim për Kadarenë, pasi që deri tani ka ekzistojnë qindra libra me studime për Kadarenë, por ka mbledhur të gjitha intervistat që i ka bërë, në kohë të ndryshme, me Kadarenë dhe i ka botuar në këtë libër. Sipas historianit Agim Zogaj, lidhja shpirtërore e shkrimtarit me idetë, me fjalitë, me gjuhën e popullit të vet, me historinë e kombit është po aq thirrje sfiduese për secilin gjurmues të jetës së shkrimtarit, thirrje së cilës, siç u shpreh ai, nuk ka mundur dot t’i largohet as autorja e librit. Në promovimin e këtij libri, që u bë në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Zogaj shtoi se “Kadare, siç del nga paragrafët e librit, është fuqishëm i angazhuar jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe në fushën e mendimit politik shqiptar dhe veçmas në rrugëtimin historik të Kosovës drejt lirisë dhe themelimit të shtetit të dytë kombëtar”. Ndërkaq, shkrimtari Ramiz Kelmendi tha se autorja u përpoq dhe na dha një tjetër Kadare, duke hyrë paksa edhe në jetën e tij private. Ai lexoi një biografi të shkurtë të autorës, për të cilën tha se është e lindur në Tiranë dhe e diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqiptare, ndërsa tash gjendet para mbrojtjes së doktoratës. Punon si gazetare, fillimisht në Televizionin shqiptar e më vonë u akreditua në Bon të Gjermanisë si korrespondente e RTSH-së. Prej vitit 1994 e deri sot e kësaj dite, pra plot 15 vjet, vijon të punojë në seksionin shqip të radios me famë botërore Deutsche Velle në Bon si redaktore dhe moderatore. Kelmendi tha se nuk është ky libër i Kadaresë që e njohim, ai i romaneve, i tregimeve, i poezive dhe studimeve të Kadaresë. Sipas tij, autorja ka bërë diç që së bëri askush tjetër deri sot. “Me një fjalë, edhe vetëm po ta shfletosh, edhe vetëm po ta lexosh, edhe vetëm po të lexosh titujt e bashkëbisedimeve të saj me Kadarenë para mikrofonit do të mësosh shumëçka që jo çdokush ka ditur deri më sot për Kadarenë”, tha Kelmendi. Referuesi tjetër, poeti Adem Gashi tregoi se në këtë libër janë përmbledhur 17 intervista me një parathënie nga Shaban Sinani, me një shënim të autores në vend të përmbylljes dhe me një album të vogël fotografish të Kadaresë. Ai tha se e ka për nder të flet për këtë libër për dy arsye. “Për autoren që e konsideroj mike dhe për personazhin e saj që e konsideroj monark të letrave shqipe”, u shpreh Gashi. Në fund, të pranishmëve iu drejtua edhe autorja e librit, Mimoza Cika-Kelmendi. Ajo tregoi për bisedat që i ka zhvilluar me Kadarenë. “Kudo që ishim, në biseda të lira apo në biseda me mikrofon, nuk mund të rrinim pa folur për Kosovën, për Shqipërinë, për korrupsionin, për komunizmin, për luftën e ashpër politike, për heshtjen e shqiptarëve, për shkollat shqipe nëpër shtëpia, për politikanët në përgjithësi, për çmimet, për nderimet e tij personale, për librat e përkthyer shumë tani në gjermanisht, por edhe biseda private, të cilat Kadare i kishte me shumë rezerva”, tha Cika-Kelmendi.
  • email Email miqve
  • print Versioni print
  • Plain text Vetem tekst
MDB2 Error: insufficient permissions