Kreu | Lajme | Gazeta Express | Putin kujton rënien e murit të Berlinit

Putin kujton rënien e murit të Berlinit

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, në intervistën dhënë një kanali televiziv në Rusi, është shprehur për herë të parë në lidhje me shembjen e murit të Berlinit dhe rolin e tij në konfrontimin me turmën e protestuesve gjermanë, gjatë kohës sa ka punuar si agjent i KGB-së, i stacionuar në qytetin e Dresdenit. Putin, përndryshe politikani më i fuqishëm në Rusi, e cilësoi murin si një krijesë artificiale, duke theksuar se shembja e tij ishte një ngjarje normale dhe e natyrshme, theksoi gazetari Vladimir Kondratiev, e cili e zhvilloi intervistën me Putinin, për kanalin televiziv rus, NTV. “Ajo që është dashur të ndodhë ka ndodhur. Besoj se ndarja e Gjermanisë nuk ka pasur ardhmëri”, theksoi Putin në intervistën, të cilën NTV do ta emetojë të dielën. Kondratiev, i cila ka punuar në vitin 1989 për televizionin sovjetik në Bonn, theksoi se përkundër angazhimit të Putinit si agjent në Gjermaninë Lindore, atëbotë as Putini, as Kohli, e as Gorbachovi nuk kanë mundur ta dinë se muri do të bie. “Kryeministrit Putin nuk i kujtohen detajet se si e kaluar ditën, me saktësisht mbrëmjen, ngase ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes. Shumë njerëz në Bashkimin Sovjetik, përfshirë këtu edhe Gorbachovin, për rënien e murit kanë mësuar të nesërmen në mëngjes”, theksoi Kondriatev. Ata, të cilët kanë shpresuar se do të konfirmohet rrëfimi dramatik, se Putini personalisht i është kërcënuar me armë protestuesve, të cilët kishin rrethuar zyrat e KGB-së në Dresden, do të dëshpërohen. “Me sinqeritet mund të them se Putini kësaj pyetje i është përgjigjur me modesti. Ai nuk dëshiron roli i tij të jetë në qendër të vëmendjes”, tha Kondratiev. Kanali shtetëror televiziv, Russia Today, ka njoftuar se pjesëmarrësi në protestat në Dresden, në dhjetor të vitit 1989, Volker Getz, para disa viteve kishte theksuar se një zyrtar me armë në dorë, i ishte kërcënuar protestuesve të tubuar para ndërtesës së KGB-së se “ky është territor sovjetik dhe se do të qëllojë të gjithë ata, të cilët bëjnë përpjekje për të hyrë brenda”. “Më vonë, ne kuptuam se ky zyrtar i KGB-së është bërë presidenti juaj”, kishte deklaruar Getz. Kondriatev vuri në dyshim këtë deklaratë, duke thënë se Putini gjatë intervistës nuk ka folur për ndonjë armë. Putini ka theksuar në intervistë se ai ka dalë jashtë, për të folur me protestuesit dhe se ka bindur ata se objekti ishte pjesë e instalimeve ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Putin në intervistë nuk tentoi të portretojë vetën si një “hero të guximshëm”, i cili ka shpëtuar ndërtesën e KGB-së, por më shumë tentoi të paraqes vetën si një mik të popullit gjerman, partnerit kryesor tregtar të Rusisë. I pyetur në intervistë se a ndien ende nostalgji për Gjermaninë Lindore komuniste, Putin u citua të ketë thënë:”Në nivelin e jetës së përditshme, natyrisht se ekzistojnë ndjenja të këtilla, por sa i përket drejtimit politik, ne kemi orientuar vetën kah Republika Federative e Gjermanisë, e cila ekziston sot”. I pyetur se a ka kundërthënie mes deklaratave të Putinit, se shembja e murit të Berlinit ishte e pashmangshme dhe komentit të tij, se shembja e Bashkimit Sovjetik ishte tragjedia më e madhe gjeo-politike e shekullit të 20-të, Kondratiev u përgjigj:”Çfarë keni pritur të thotë Putini: se shembja e Bashkimit Sovjetik ka qenë një fat i mirë?”.
  • email Email miqve
  • print Versioni print
  • Plain text Vetem tekst
MDB2 Error: insufficient permissions