Kadare, laureat i Çmimit “Rexhai Surroi” për roman
Romani “Darka e gabuar” e shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare ka marrë shpërblimin vjetor për letërsi “Rexhai Surroi”. Vetë shkrimtari ynë i madh ka qenë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve vjetore për letërsi dhe gazetari, që mbajnë emrin Rexhai Surroi, e cila u mbajt sot në Hotelin “Grand” në Prishtinë. Shpërblimin për gazetari e morën Serbeze Haxhiaj dhe Rexhep Krasniqi me shkrimin “Jeta në kërkim të një varri”, botuar në gazetën “Koha Ditore”. Ky është viti i dytë e ndarjes së këtyre shpërblimeve, të themeluara nga Grupi “Koha”. Konkurrentë të Kadaresë kanë qenë emra të njohur të letrave shqipe. Akademikët Sabri Hamiti e Eqrem Basha dhe dr. Bardh Rugova kanë qenë treshja e jurisë, e cila vendosi se cili roman do të merrte shpërblimin. Eqrem Basha ka qenë ai që ka arsyetuar vendimin e jurisë.
“’Darka e gabuar’, e botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, në këtë vit vjen si një yll i ri në universin Kadare, duke iu rikthyer vendlindjes Gjirokastrës dhe duke rimarrë temën e Luftës së Dytë Botërore, kthesat historike që sollën vendosjen e diktaturës dhe pikat më të ndjeshme të ngjarjeve që përmbysën fatin shqiptarë. “Darka e gabuar” të kujton “Darkën e fundit” biblike, misteret dhe magjinë e saj, të ardhur tek ne me mjeshtrinë e lojës filigranike në kufijtë e reales dhe fiktives, historikes dhe artistikes”, ka cituar Basha vendimin e jurisë. Teksa priste të pushonin duartrokitjet e gjata për laureatin e vitit 2009 të Çmimit “Rexhai Surroi”, për letërsi, vetë Ismail Kadare, ndonëse u shpreh se nuk kishte fjalë specifike për të përshkruar nderin e fitimit të këtij çmimi, citoi vargje të poetit Naim Frashëri, për të shprehur emocionin. “E kam shumë të vështirë për të thënë diçka të veçantë, por ajo që më vie ndër mend është vargu i poemës “Bagëti e bujqësi”, e poetit Naim Frashëri që i dedikohet Shqipërisë e që thotë: ‘Nata atje është tjetër natë e dita tjetër ditë’, teksa unë duke perifrazuar këto vargje më duhet të them se çdo udhëtim në Kosovë është tjetër udhëtim dhe çdo çmim këtu është tjetër çmim”, ka thënë Kadare. Ndërkaq, vendimin e jurisë për ndarjen e shpërblimit vjetor për gazetari “Rexhai Surroi” e lexoi anëtari i jurisë Zenun Çelaj, kryeredaktori i portalit “Koha.net”. Bashkë me Çelajn anëtarë jurie kanë qenë edhe publicisti Kelmend Hapçiu e gazetari Naser Miftari. “Këtë herë kemi vendosur që fitues të parë të këtij konkursi të jenë Serbeze Haxhijaj dhe Rexhep Krasniqi për shkrimin ‘Jeta në kërkim të një varri’, të botuar në “Koha Ditore”, më 27 prill 2009. Pasi tha se nuk e shohim të nevojshme të shpjegojmë motivet për këtë vendim, megjithatë shtoi se në këtë shkrim bëhet fjalë për një plagë historike që vazhdon të mbetet e hapur për mijëra familje në Kosovë, të cilat do të ndiheshin të lehtësuare që së paku t’ua dinin varret njerëzve të vet të vrarë padrejtësisht me gjyq e pa gjyq nga regjimet e kaluara”, ka thënë Çelaj, për shpërblimin i cili vjet nuk qe ndarë. Drejtoresha e “Grupit KOHA”, Flaka Surroi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” theksoi se ndarja e çmimeve “Rexhai Surroi”, do të ngelet traditë dhe ai do të jepet për çdo vit për romanin dhe shkrimin e cilësuar më të mirë, të botuar gjatë një viti. “Në do të vazhdojmë t’i kërkojmë e t’i veçojmë ata që kanë frymëzimin dhe talentin që të krijojnë të bukurën dhe të paharrueshmen, për gjithmonë të rrënjosur në një libër apo gazetë. Do ta bëjmë këtë ngase frymëzimi dhe talenti nuk do të shuhet kurrë”, ka thënë Flaka Surroi. Ajo citoi fjalët e babit të saj të ndjerë, Rexhai Surroit, i cili ka shënuar historinë e popullit shqiptar duke qenë publicist, shkrimtarë, gazetar dhe diplomat i njohur, e i cili në kohën kur shumë pak vetë kryenin shkollimin në gjuhën shqipe, ai e bëri këtë me qëllimin që gjuha shqipe të mos ishte “gjuhë vetëm e sharrëxhinjve, e pastruesve të rrugëve, edhe e hamajve e bujqve”. Për, këtë Surroi u kthye mbrapa në edicionin jubilar të ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi”, kur edhe u shënua gjashtëdhjetë vjetori i maturës së brezit të parë të maturantëve, të cilëve i kishte takuar edhe Rexhai Surroi, i cili brez ishte i pari që hapi rrugën e arsimimit e që të tjerët të vazhdonin me atë hap. Po sot, u promovua edhe libri “Izolimi: Rrëfimet nga tunelet e tmerrit”, i ribotuar nga “Grupi KOHA”. Janë një numër rrëfimesh të treguara nga personazhet e torturave të izolimit, që ishin ushtruar njëzet vjet më parë mbi personalitetet e shquara intelektuale shqiptare, të cilat janë përmbledhur në këtë libër nga Ibrahim Osmani, vetë personazh i torturave.
“Izolimi një praktike poshtëruese që kishte nisur pas demonstratave të vitit ‘81 ishte mjeti më denigrues që përdori pushteti i atëhershëm përmes policisë së vet, për ta mbytur shpirtin e shqiptarëve të Kosovës. Trajtimi çnjerëzor i njerëzve, që u shpallën armiq të shtetit, u përdor si mjet torturimi i gjithë një populli, tashëm të zënë rob në burgun Kosovë”, ka thënë Flaka Surroi, drejtoreshë e “Grupi KOHA”. “Është ky vëllim i cili neve, që e mbajmë në mend ,do të na kujtojë një kohë të ligë, përderisa të tjerëve, që nuk arritën ta përjetojnë atë kohë, do të u shërbejë si histori”, ka shtuar ajo. Ndërkaq ishte publicisti Veton Surroi ai i cili me disa fjalë shpjegoi përmbajtjen e librit, që në vete ngërthen rrëfime vuajtjesh. “Në librin, të cilin po e promovojmë, e të cilin në fakt po e rishtypim falë aktivitetit të Ibrahim Osmanit, njërit prej grupit të të izoluarve, përmendet një natë e cila përsëritet në çdo rrëfim. Është nata e 27 marsit 1989, kur në dyert e mbi 250 njerëzve kishte trokitur policia serbe për t’i marrë në bisedë informative. Të gjithë ishin shqiptarë. Ata merren dhe dërgohen në stacionet policore fillimisht, e më pas të dërgohen me autobus në Leskovc apo në Vranjë, ku i prisnin torturat e të qenit të izoluar në një burg”, ka thënë Veton Surroi. Ai ka përmendur edhe disa nga personazhet e këtij tmerri, si Bashkim Ahmën, gjuhëtarin Rexhep Ismajli e të tjerë.
- Guret ne veshke, zorra e trashe, kapslleku etj: Qepa (Allium cepa)
- Kollen kronike, e nga jashte me lyerje ne semundje te lekures: Lulesyni - Uiola tricolor
- Pezmatimin e udheve te frymemarrjes, ne bronket, ne astmen e lagur, kollen e bardhe: Manushaqja eremire - Viola odorata
- “Taken” filmi me i pare ne Amerike dhe Hollivudi zbulon shqiptaret
- Perdoret ne pastat e dhembeve: Lisra - Thymus serpyllum



Facebook
Google
del.icio.us
Digg
Windows Live